Ceremonia e Fillimit të Programit WPIP / MIP V – Kafaraj, Fier

Programi WPIP MIP V ka filluar zyrtarisht fazën e ndërtimit. Pas një pune voluminoze në studimin e fizibilitetit, projekteve arkitekturore dhe inxhinierike, faza e zbatimit tashmë ka nisur, ku falë mbështetjes së KfW, Bashkimit Evropian dhe SECO përmes Programit WPIP/MIP V (Programi i Performancës dhe Investimeve në Sektorin e Ujit / Programi i Infrastrukturës Komunale V), janë planifikuar të investohen 125.6 milionë euro në 6 kompanitë rajonale të ujësjellësit Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Berat dhe Vlorë, të cilat do të përfitojnë 30% të popullsisë së Shqipërisë dhe 50% të popullsisë në zonat urbane të vendit.

Përveç përmirësimit të shërbimeve të furnizimit me ujë, projekti WPIP/MIP V mbulon gjithashtu ndërtimin e sistemeve të mbledhjes dhe trajtimit të ujërave të zeza.

Ceremonia e fillimit të punimeve u zhvillua të premten, më 15 mars 2024, në kompaninë rajonale të Ujësjellësit dhe Kanalizimeve Fier, për të cilën janë caktuar rreth 13.5 milionë euro për ndërtimin e stacionit të ri të pompimit në Kafraj të Fierit, i shoqëruar nga katër puse të reja dhe rehabilitimi i atyre ekzistuese.

Në këtë ceremoni ishte e pranishme Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht Ministre për Energjinë dhe Infrastrukturën, znj. Belinda Balluku, e cila vlerësoi mbështetjen e këtij projekti për kapërcimin e vështirësive që paraqet përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe trajtimit të ujërave të zeza.

“Jemi optimistë se me të gjitha vështirësitë e mëdha që paraqet sektori, jemi të bindur se me mbështetjen e partnerëve tanë dhe këtu nuk është kurrë gabim të falenderojmë sërish Qeverinë Gjermane, të falenderojmë sërish Qeverinë Zvicerane dhe të gjitha institucionet me të cilat ata janë përfaqësuar këtu, punën falë ambasadorëve dhe mbi të gjitha Bashkimin Evropian, Komisionin Evropian për të gjithë mbështetjen që po i japin Shqipërisë në këto momente përmes programeve të ÚBIF dhe natyrisht IPA, jemi të bindur se suksesi është i garantuar”, tha ministrja Balluku.

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, e vlerësoi këtë projekt si jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili garanton të njëjtat standarde si ato të vendeve të Bashkimit Evropian.

“Ndërsa Shqipëria ecën përpara me procesin e negociatave, ajo duhet të mobilizojë burimet, të harmonizojë ligjet me standardet mjedisore të BE-së. Kjo është padyshim një nga sfidat më të mëdha sepse kërkon investime të konsiderueshme, përfshirë ato financiare, por edhe ndryshime në legjislacion dhe ndryshime në mentalitetin dhe kulturën e njerëzve”, theksoi kreu i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Stacioni i pompimit në Kafaraj të Fierit u ndërtua në vitin 1964 dhe që atëherë nuk është rimodernizuar, çka për ambasadorin gjerman në Tiranë, z. Karl Bergner, paraqet një domosdoshmëri për këtë investim.

“Infrastruktura që do të ndërtojmë këtu do të krijojë vende të reja pune, do të stimulojë punësimin, do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik. Dua të falënderoj ekspertët teknikë të KfW-së, partnerët ndërkombëtarë, agjencitë shtetërore dhe kompaninë rajonale të ujësjellësit. Por ka një person që dua ta falënderoj në veçanti, ai është tekniku që e mban këtë stacion pompimi në funksionim, i cili është ndërtuar në vitin 1964 dhe vazhdon të punojë, kështu që ai është heroi i përditshëm”, tha ambasadori gjerman z. Bergner.

Partner në këtë projekt është qeveria zvicerane, ku ambasadorja znj. Ruth Huber nënvizoi rëndësinë e zbatimit të këtij projekti.

“Përmirësimi i sektorit të ujit është një objektiv i përbashkët. Për pothuajse 2 dekada, së bashku me KfW, kemi kontribuar në përmirësime shumë të rëndësishme në sistemet e ujit dhe kanalizimeve në disa qytete dhe rajone. Si rezultat i investimit të madh që do të fillojmë sot, 470,000 qytetarë do të përfitojnë nga furnizimi me ujë të pijshëm,” tha ambasadorja zvicerane, znj. Huber.

Përveç përmirësimit të sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm, investimi në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit dhe Kanalizimeve Fier ofron gjithashtu një menaxhim më të mirë të tij. Falë këtij investimi, parashikohet instalimi i 45 kilometrave tubacion të ujit dhe 2,300 lidhje të reja. Rinovimi i sistemit SCADA do të mundësojë kontrollin në kohë reale të furnizimit me ujë, gjë që do të kontribuojë ndjeshëm në uljen e humbjeve në rrjet.

WPIP – MIP V parashikon gjithashtu investime në sistemin e ujërave të zeza, ku për UKR Fier rrjeti ekzistues do të rehabilitohet dhe do të ndërtohet një stacion i ri pompimi.