Kreu i Zyrës zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Tiranë inspekton progresin e investimeve të projektit WPIP/MIP V në Lezhë

Kreu i Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, z. Arnold Philipp, zhvilloi të enjten, 29 maj 2025, një vizitë zyrtare në Shoqërinë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Lezhë (UKRL), për të inspektuar nga afër ecurinë e zbatimit të projektit madhor WPIP/MIP V – një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme në infrastrukturën e ujit në rajon.

Gjatë vizitës, z. Philipp u prit nga Drejtori i UKRL, z. Zef Maçi, dhe Zëvendësdrejtori i KfW-së në Tiranë, z. Bledar Dollaku, i cili prezantoi progresin e investimeve dhe ndikimin e tyre në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe turistët. Ceremonia zyrtare e inaugurimit të punimeve parashikohet të zhvillohet në tetor 2024.

Projekti WPIP/MIP V në Lezhë përfaqëson një investim prej 16 milionë eurosh, financuar nga Bashkëpunimi Financiar Gjerman përmes KfW-së, Bashkimi Evropian dhe SECO (Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike). Projekti synon:

  • Zgjerimin e rrjeteve të furnizimit me ujë të pijshëm;
  • Modernizimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura;
  • Krijimin e një sistemi të ri për mbrojtjen nga përmbytjet.

Përfitues direkt janë mbi 20,000 banorë dhe një numër në rritje turistësh që frekuentojnë zonën.

Progres i dukshëm është evidentuar në disa fusha kyçe:

  • Kodër Marlekaj: Instalimi i një linje të re të ujësjellësit me gjatësi totale 13.5 km, nga të cilat 6.5 km janë përfunduar.
  • Mali i Kakarriqit: Hapja e dy puseve të reja dhe ndërtimi i një rezervuari me kapacitet 400 m³ për furnizim të qëndrueshëm me ujë. Janë vendosur mbi 20 km rrjet të ri tubacionesh.
  • Shëngjin: Ky destinacion i rëndësishëm turistik pritet të përfitojë nga rehabilitimi i linjës kryesore të transmetimit me tuba DCI500, nga të cilat 2.9 km janë ndërtuar dhe janë aktualisht në fazën e dezinfektimit.

Modernizimi i Impiantit të Trajtimit dhe Masat Kundër Përmbytjeve

Ndërhyrjet teknike në impiantin e ujërave të ndotura përfshijnë:

  • Rindërtimin e njësisë mekanike të trajtimit;
  • Ndërtimin e një stacioni të ri pompimi;
  • Instalimin e një kanali të ri matës, dhomash të ajrosura, biofiltri për eliminimin e aromave dhe impianti për heqjen e fosforit.

Për të adresuar përmbytjet në Lezhë, projekti parashikon ndarjen e rrjeteve të ujërave të zeza dhe atyre atmosferike përmes ndërtimit të:

  • 1.5 km kolektorësh për ujërat atmosferike;
  • Një stacion pompimi me kapacitet 3 m³/sek;
  • 1 km rrjet të ri për ujërat e zeza;
  • Rehabilitimit të stacionit ekzistues të pompimit.

Menaxhimi i Emergjencave

Për të forcuar qëndrueshmërinë ndaj fatkeqësive, është hartuar një Plan Reagimi ndaj Përmbytjeve, në bashkëpunim me institucionet vendore, që synon një reagim të koordinuar në rast emergjencash, duke minimizuar rreziqet dhe garantuar sigurinë e qytetarëve.

Mbështetje e Qëndrueshme Ndërkombëtare

Qeveria Zvicerane, përmes SECO-s, dhe Bashkëpunimit Gjerman përmes KfW dhe BE-së, mbeten partnerë thelbësorë në zbatimin e këtij projekti strategjik, duke riafirmuar angazhimin për zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të kushteve të jetesës për qytetarët shqiptarë.