Punimet për ndërtimin e linjës së re të furnizimit me ujë në Vlorë po ecin me ritme të shpejta, si pjesë e Programit WPIP MIP V. Ky projekt synon modernizimin e rrjetit të ujësjellësit në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të besueshëm për komunitetin lokal.
Punimet për ndërtimin e linjës së re të furnizimit me ujë në qytetin e Vlorës po avancojnë me ritme të shpejta dhe të qëndrueshme. Projekti, pjesë e Programit WPIP MIP V, synon përmirësimin rrënjësor të rrjetit të ujësjellësit në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Aktualisht janë instaluar 56.5 kilometra tubacione kryesore nga 92 kilometra të planifikuara. Tubat janë të standardeve të Bashkimit Europian dhe lidhen përmes një teknologjie të avancuar saldimi, e cila siguron lidhje hermetike dhe minimizon humbjet e mundshme të ujit.
Përveç rrjetit kryesor, projekti parashikon vendosjen e elementëve të tjerë të rëndësishëm të sistemit. Deri tani janë instaluar 230 nyje lidhëse nga 834 në total. Vendosja e 171 hidranteve të zjarrit është planifikuar për një fazë të mëvonshme, duke forcuar më tej sigurinë dhe funksionalitetin e rrjetit.
Një pjesë e rëndësishme e punimeve ka qenë edhe rikthimi në gjendje funksionale i rrugëve që preken nga ndërhyrjet. Të gjitha kanalet për vendosjen e tubacioneve janë të thellësisë 1.2 metra dhe para se të kryhet asfaltimi, realizohen teste presioni per tubacionet e ujit dhe teste te ngjeshjes per shtresat rrugore për të garantuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shtresës së re.
Po ashtu, po kryhen ndërhyrje të thella në stacionet e pompimit. Një nga objektet po i nënshtrohet rehabilitimit të plotë, që përfshin zëvendësimin e pompave ekzistuese dhe instalimin e paneleve elektrike moderne. Në të njëjtën kohë, janë planifikuar masa mbrojtëse përgjatë vijës detare për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të infrastrukturës.
Ky projekt zbatohet në kuadër të Programit WPIP MIP V, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, KfW dhe SECO. Kontributi i këtyre partnerëve është thelbësor për modernizimin e sistemit të furnizimit me ujë në Vlorë dhe për sigurimin e një shërbimi të besueshëm dhe të qëndrueshëm për qytetarët.