WPIP / MIP V zbarkon në Lezhë, 16 milionë euro investime në sektorin e ujit

Lezha është stacioni i radhës ku implementohet “Programi i Sektori të Ujit Bazuar në Performancë / Infrastruktura Bashkiake V” WPIP/MIP V. Ky program parashikon që të investojë një shumë prej 16 milionë eurosh në Bashkinë e Lezhës ku krahas përmirësimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe të sigurt, një vëmendje të veçantë i është kushtuar trajtimit të ujërave të zeza si edhe rikonceptimin e rrjetit të ujërave të shitur për të mbrojtur qytetin nga përmbytjet.

Në këtë kuadër u zhvillua edhe ceremonia e nisjes së punimeve ku të pranishëm ishin Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Karl Bergner, ambasadorja e Zvicrës Ruth Huber, Kryetari i Bashisë Lezhë, Pjerin Ndreju, Drejtori i përgjithshëm i AKUK Klevis Jahaj, Ministri i Drejtësisë,  Ulsi Manja, Drejtori i UKR Lezhë, Zef Maçi si edhe përfaqësues të tjerë të UKR Lezhë.

Zonja Balluku i kushtoi një vëmendje të veçante programit WPIP/MIP V duke u shprehur se ky investim falë partneritetit me BE, KfW dhe SECO, do të përmirësojë sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm si edhe do të garantojë rritjen e performancës të Shoqërive Rajonale të Ujësjellës Kanalizime. “Qëllimi i projektit është përmirësimi i situatës së furnizimit me ujë, gjithashtu si dhe rritjen e performancës së shoqërisë rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve në Lezhë. Duhet të kemi parasysh që vetëm dy vite më parë ne kemi nisur një proces reformues të thellë përsa i përket të gjitha shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve të cilat kanë qenë deri para pak vitesh të alokuara pranë bashkive, por ndërkohë për shkak të reformës së thellë që ne kemi ndërmarrë, tashmë janë krijuar njësitë rajonale, ndërmarrjet rajonale, të cilat nga të gjithë treguesit që kemi pasur gjatë vitit 2023 dhe që do të kemi gjatë vitit 2024 padyshim tregojnë që kemi një mirëadministrim të këtyre ndërmarrjeve rajonale, duke ulur numrin e punonjësve dhe kostot të cilat krijohen për shkak të operimeve dhe nga ana tjetër duke rritur dhe optimizuar financat. Dhe padyshim e gjitha kjo reflektohet edhe në ofrimin e një shërbimi cilësor më të mire” deklaroi znj. Balluku.

Bashkimi Evropian synon që nëpërmjet këtij investimi, qytetarët shqiptar të jenë edhe më pranë atyre të BE-së sa i përket standardit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe përpunimit të ujërave të zeza. “Synimi ynë është që jo vetëm ta ndihmojnë Shqipërinë për tu pajisur me të gjitha pajisjet e duhura për të pasur një sistem të duhur të menaxhimit të ujit, por për ta shndërruar Shqipërinë në një shoqëri të gjelbër qarkulluese. Mbi të gjitha, mbështetja jonë është në fakt tregues i qartë dhe i prekshëm i angazhimit të BE për të përmirësuar cilësinë e jetës të qytetarëve shqiptar, që ajo të jetë sa më pranë standardeve të BE-së. E ardhmja e Shqipërisë dhe e qytetarëve të sajë do të jetë vetëm në Bashkimin Evropian” nënvizoi kreu i delegacionit të BE-së.

Karl Bergner, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë i kushtoi një vëmendje të veçante ndikimit në mjedis që ka ky projekt i cili i përgjigjet edhe sfidave të ndryshimeve klimatike. “Përveç kësaj, ky projekt adreson edhe sfida të tjera siç është mbrojtja e mjedisit dhe i përgjigjet ndryshimeve klimatike, veçanërisht përmbytjeve. Forcimi i këtyre ujësjellësve do të garantojë që uji të qëndrojë i pastër dhe i sigurt duke garantuar ekosistemin e sigurt për të gjithë.  Përballë ndryshimeve klimatike, rrjeti i shkarkimeve të ujit të stuhive është thelbësore për të zbutur përmbytjet dhe rrezikun e përmbytjeve në zonat e ulëta. Dhe ky projekt synon të garantojë jo vetëm nevojat tanishme, por edhe nevojat e të ardhmes”, tha z. Bergner.

Investimet nga ky program do të bazohen në performancën e Shoqërive Rajonale të Ujësjellës Kanalizime dhe Lezha për ambasadoren zvicerane është një histori suksesi në menaxhimin e ujit.“Sot bashkojmë fuqitë në një investim që do të përmirësojë infrastrukturën ujore të Lezhës dhe kjo është një kënaqësi e veçante sepse Lezha është edhe një rast i funksionimi të duhur të ujësjellësit. Këtë e dimë përmes partneritetit të gjatë e të frytshëm në sektorin e ujit. Teksa fillon investimi sot vlen t’i kujtojmë vetes se infrastruktura dhe forcimi institucional shkojnë dorë për dorë dhe rritja e performacës sëbshku me këtë investim, do të shkojnë bashkë në këtë aspekt.  Reforma në sektorin e ujit ka treguar rezultate të mira dhe ky projekt synon të konsolidojë jetesën, financat, performancën operacionale të ndërmarrjeve të reja”, u shpreh znj Huber.

Nga ky investim do të përfitojnë rreth 20 mijë qytetarës të Lezhë ku parashikon:

  • Rreth 3.0 km linjë e transmetimit ekzistues do të zëvendësohet në Shëngjin dhe do të ndërtohen rrjete të reja të shpërndarjes në Kodra Marlekaj (12 km rrjet i ri) dhe fshatrat Kakariq & Gocaj (16 km rrjet i ri). Investimi do të përfshijë gjithashtu rehabilitimin e puseve dhe rezervuarëve ekzistues si dhe ndërtimin e disa puseve dhe rezervuarëve të rinj.
  • Përveç furnizimit me ujë të pijshëm, investimi parashikon rehabilitimin dhe përmirësimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza për përmbushjen e standardeve të BE-së, duke përfshirë një stacion të ri pompimi dhe zbatimin e sistemit të kontrollit automatik SCADA.
  • Lezha, si një nga zonat me nivelin më të lartë të reshjeve, ka pasur probleme në parandalimin e përmbytjeve, dhe për të zgjidhur këtë ngërç, parashikohet një rikonceptimin e plotë i sistemit të mbrojtjes së ujërave të rrëmbyeshëm për të shmangur shkarkimet nga shpatet e kodrave në drejtim të qytetit dhe për të ndarë ujërat e zeza nga ujërat e shiut në rrjet.

Në total për 6 Shoqëritë Rajonale të Ujësjellës Kanalizime programi WPIP/MIP V parashikon një investim me vlerë 125.6 milionë euro në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Berat dhe Vlorë dhe nga ky investim do të përfitojnë rreth 470 mijë qytetarë.