Zbatimi i nismës arsimore “Miqtë e Ujit – Edicioni 2025” ka nisur në gjashtë rajonet e projektit WPIP / MIP V.

Në kuadër të Programit të Infrastrukturës Bashkiake, Faza V (WPIP / MIP V), në bashkëpunim me Shoqatën e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve të Shqipërisë (SHUKALB), është përmbyllur me sukses faza e parë e nismës arsimore “Miqtë e Ujit – Edicioni 2025”.

Mbi tridhjetë mësues të shkollave fillore u trajnuan në gjashtë rajonet ku zbatohet Programi WPIP / MIP V: Shkodër, Lezhë, Elbasan, Berat, Fier dhe Vlorë.
Gjatë muajit nëntor 2025, mësuesit do të zhvillojnë orë mësimore krijuese, lojëra dhe vizita në impiante furnizimi me ujë me rreth 750 nxënës të klasave të treta në të gjashtë rajonet e WPIP / MIP V, për t’u mësuar atyre rëndësinë e ujit, ruajtjen dhe përdorimin e tij me përgjegjësi.

Në dhjetor 2025, nisma do të kulmojë me ekspozitën kombëtare “Uji përmes Syve të Fëmijëve”, ku do të prezantohen punimet më të mira të nxënësve dhe do të përurohet kalendari i Programit WPIP / MIP V për vitin 2026 — një pasqyrim krijues i vizionit të fëmijëve për një botë që vlerëson dhe mbron ujin.

Edukimi për Ujin fillon në klasë
Nisma arsimore “Miqtë e Ujit” është zhvilluar nga SHUKALB, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, me qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve që në moshë të hershme mbi vlerën e ujit si burim jetik dhe ka përfshirë mijëra nxënës gjatë dekadës së fundit.
Edicioni 2025 mbështetet nga Programi WPIP / MIP V, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të lidhur përmirësimin e infrastrukturës me edukimin dhe ndërgjegjësimin publik.

Programi WPIP / MIP V është një nismë e madhe investimi me vlerë 125.6 milionë euro, e mbështetur financiarisht nga një partneritet ndërkombëtar që përfshin:

  • Bashkëpunimin Financiar Gjerman (KfW): 80 milionë euro (kredi),
  • Bashkimin Evropian (EU IPA): 23.3 milionë euro (grant),
  • Qeverinë Gjermane: 9 milionë euro (grant), dhe
  • SECO (Zvicër): 13.3 milionë euro (grant).