Fushata e komunikimit derë më derë u përfundua me sukses në pesë rajone që përfitojnë nga Programi WPIP/MIP V.

Përfundon me sukses fushata e komunikimit derë më derë në pesë rajonet përfituese të Programit WPIP/MIP V
Programi i Infrastruktura Bashkiake V (WPIP/MIP V) ka përmbyllur me sukses fushatën e komunikimit dhe informimit derë më derë në pesë rajonet përfituese: Shkodër, Vlorë, Fier, Elbasan dhe Lezhë.

Në kuadër të kësaj fushate, janë shpërndarë fletëpalosje informuese, të përgatitura posaçërisht për secilin rajon, me qëllim njohjen e qytetarëve me investimet që po realizohen në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, objektivat e programit dhe përfitimet e pritshme për komunitetet lokale.

Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë derë më derë, qytetarët janë informuar mbi ndërhyrjet infrastrukturore të parashikuara në zonat e tyre, përmirësimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve të ujësjellësit, si dhe rëndësinë e investimeve për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Materialet informuese për secilin prej pesë rajoneve përmbajnë të dhëna mbi investimet përkatëse, komponentët kryesorë të projekteve dhe ndikimin e tyre në modernizimin e infrastrukturës ujore. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar përdorimit të një gjuhe të qartë dhe të kuptueshme, për ta bërë informacionin teknik sa më të aksesueshëm për qytetarët.

Fushata është pjesë e aktiviteteve të komunikimit dhe vizibilitetit të Programit WPIP/MIP V, të cilat synojnë rritjen e ndërgjegjësimit publik, transparencën mbi investimet dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve.

Përfundimi me sukses i shpërndarjes së materialeve informuese në Shkodër, Vlorë, Fier, Elbasan dhe Lezhë shënon një tjetër hap në angazhimin e programit për të vendosur qytetarët në qendër të procesit të informimit dhe për t’i bërë ata pjesë të zhvillimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.

Programi WPIP/MIP V mbështet përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Shqipëri, përmes investimeve të financuara nga Qeveria Gjermane, nëpërmjet KfW, Bashkimi Europian dhe Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), në bashkëpunim me institucionet shqiptare.