Punimet e rrjetit të ujësjellësit në Vlorë arrijnë mbi 80% progres

Punimet për rehabilitimin e rrjetit të furnizimit me ujë në qytetin e Vlorës, të zbatuara në kuadër të Programit të Infrastrukturës Komunale V (MIP V), po vijojnë me ritme të konsiderueshme, ndërsa progresi i përgjithshëm fizik i projektit ka arritur tashmë në 80.3%.

Investimi, i realizuar në kuadër të Programit të Performancës dhe Investimeve në Sektorin e Ujit / Programit të Infrastrukturës Komunale V (WPIP/MIP V), synon modernizimin e infrastrukturës së shpërndarjes së ujit në qytet dhe përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm përmes rehabilitimit të rrjetit ekzistues dhe ndërtimit të komponentëve të rinj të sistemit.

Rrjeti kryesor i shpërndarjes – hap pas hapi po lidhen familjet me rrjetin e ri

Një nga komponentët kryesorë të investimit është lidhja e familjeve dhe bizneseve me rrjetin e ri të ujësjellësit. Deri tani janë realizuar 3,891 lidhje abonentësh, nga 5,381 të planifikuara, ndërsa punimet vijojnë në disa zona të qytetit për integrimin gradual të konsumatorëve në sistemin e rehabilituar të furnizimit me ujë.

Sipas raportit më të fundit të progresit, janë instaluar mbi 77 kilometra tubacione të rrjetit shpërndarës, që përfaqësojnë më shumë se 83% të volumit total të projektit, i cili parashikon gjithsej 92.2 kilometra rrjet të ri. Vetëm gjatë javës së fundit raportuese janë realizuar rreth 323 metra linearë tubacionesh shtesë.

Zona të Monitorimit të Rrjetit (DMA)

Aktivitetet e ndërtimit po zhvillohen paralelisht në disa District Metering Areas (DMA), ku kontraktori ka mobilizuar gjithsej 15 ekipe pune. Tetë prej tyre janë aktualisht të angazhuara në instalimin e tubacioneve, ndërtimin e nyjeve dhe realizimin e lidhjeve të abonentëve në tre zona DMA (DMA 3, DMA 5 dhe DMA 6), ndërsa ekipe të tjera po kryejnë rikonstruksionin e rrugëve dhe testimin e presionit të rrjetit të sapo-instaluar.

Minimizimi i ndikimit të punimeve – “Horizontal Directional Drilling”

Një aspekt i rëndësishëm teknik i projektit është përdorimi i teknologjisë “Horizontal Directional Drilling” (HDD), e cila mundëson kalimin e tubacioneve në zona urbane me ndikim minimal ndaj infrastrukturës ekzistuese dhe qarkullimit në qytet.

Deri më sot janë realizuar rreth 1,150 metra linearë punimesh HDD, që përfaqësojnë afro 62% të volumit të planifikuar për këtë komponent.

Në të njëjtën kohë, po vijojnë edhe punimet për rikthimin e infrastrukturës rrugore në të gjithë qytetin. Deri tani janë rehabilituar më shumë se 27 kilometra rrugë të asfaltuara dhe rreth 1.7 kilometra rrugë betoni pas përfundimit të punimeve nëntokësore.

Investimi në Vlorë është pjesë e programit të gjerë WPIP/MIP V, i financuar nga Qeveria Gjermane përmes KfW, Bashkimi Evropian dhe SECO, me synim përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në gjashtë shoqëri rajonale të ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri