Investimi i WPIP / MIP V në Sistemin e Ujësjellësit të Shkodrës: Progres i prekshëm drejt një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme

Rehabilitimi i sistemit të furnizimit me ujë në Shkodër po sjell përmirësime të dukshme dhe të matshme në terren, ndërsa projekti po avancon në mënyrë të qëndrueshme drejt përfundimit.

I zbatuar në kuadër të Programit të Infrastrukturës Bashkiake V (MIP V), projekti po transformon infrastrukturën ujësjellëse të qytetit përmes investimeve në shkallë të gjerë në tubacione të reja, lidhje të përmirësuara dhe sisteme moderne matjeje.

Deri më tani, është arritur progres i konsiderueshëm fizik në disa komponentë të rrjetit.

Linjat kryesore të transmetimit

Një nga segmentet kryesore të sistemit, linja e transmetimit nga stacioni i pompimit në Dobraç deri tek rrethrrotullimi i Rusit, është drejt përfundimit, me mbi 3,000 metra tubacione me diametër 600 mm (DCI DN 600) të instaluara. Gjithashtu, ka avancuar ndjeshëm edhe linja kryesore e shpërndarjes nga zona e Rusit deri tek rrethrrotullimi i Spitalit, ku janë vendosur mbi 1,000 metra tubacione me diametër 400 mm (HDPE DN 400).

Rrjeti shpërndarës në zonat e mbuluara

Janë instaluar rreth 50,000 metra tubacione të reja, me diametra 160 mm dhe 110 mm për linjat kryesore të shpërndarjes së rrjetit, si edhe 90 mm dhe 63 mm për degëzimet që çojnë ujin drejt zonave të ndryshme ku lidhen abonentët familjarë.

Lidhjet familjare

Projekti ka shënuar gjithashtu progres të konsiderueshëm në zgjerimin e lidhjeve familjare. Janë realizuar rreth 14,000 metra lidhje shërbimi nga rrjeti kryesor drejt banesave individuale, duke garantuar akses të drejtpërdrejtë në furnizim të qëndrueshëm me ujë për familjet dhe bizneset.

Paralelisht, vijon instalimi i kutive të matësve të ujit, ku deri tani janë vendosur 1,953 njësi, që përfaqësojnë mbi 93% të totalit të planifikuar. Këto instalime janë thelbësore për monitorimin e saktë të konsumit, përmirësimin e faturimit dhe reduktimin e humbjeve të ujit.

Mikrotunelimi – teknika inovative që minimizojnë ndikimin e punimeve

Një komponent i rëndësishëm teknik i punimeve është përdorimi i teknikës së mikrotunelimit për instalimin e tubacioneve në zona sfiduese pa ndërprerë infrastrukturën sipërfaqësore. Deri më tani, pothuajse 1,000 metra tubacione janë instaluar përmes kësaj metode. Kjo qasje minimizon ndikimin në qarkullim dhe jetën urbane, duke siguruar njëkohësisht instalim efikas dhe të saktë.

Faza përfundimtare

Së bashku, këto ndërhyrje po ndërtojnë një sistem më efikas dhe më të besueshëm të furnizimit me ujë për Shkodrën, duke reduktuar humbjet teknike, stabilizuar presionin e ujit dhe përmirësuar cilësinë e shërbimit.

Ndërsa projekti hyn në fazën përfundimtare, punimet e mbetura fokusohen në përfundimin e lidhjeve dhe integrimin final të sistemit. Pas përfundimit, investimi do t’i sigurojë Shkodrës një sistem modern, rezistent dhe të qëndrueshëm të furnizimit me ujë, në përputhje me standardet europiane.

Ky projekt jo vetëm që përmirëson jetën e përditshme të qytetarëve, por gjithashtu forcon qëndrueshmërinë operacionale dhe financiare afatgjatë të ndërmarrjes lokale të ujësjellësit, duke kontribuar në modernizimin më të gjerë të sektorit të ujit në Shqipëri.