Në dhjetor të vitit 2023, filluan zyrtarisht punimet për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në Elbasan. Ky investim i madh është pjesë e Projektit WPIP/MIP V “Programi i Performancës dhe Investimeve në Sektorin e Ujit / Programi i Infrastrukturës Komunale V” nëpërmjet të cilit do të transformohet cilësia e furnizimit me ujë të pijshëm.
Projekti përfshin rehabilitimin e rrjetit kryesor si dhe rrjetit sekondar dhe tercial, ndërtimin e zonave të matjes dhe presionit, si dhe furnizimin me matës uji për abonentët familjarë, bizneset dhe entet publike. Në aktivitetin e hapjes mori pjesë Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht Ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, znj. Belinda Balluku, e cila shoqërohej nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellësit dhe Kanalizimeve, z. Klevis Jahaj dhe zëvendëskreu i KfW, z. Bledar Dollaku.
Duke iu referuar situatës së furnizimit me ujë në qytetin e Elbasanit, z. Jahaj njoftoi se “Këtu do të përdoret një model hidraulik i cili është zbatuar me sukses edhe në qytete të tjera si Korça, Pogradeci dhe Lezha për të furnizuar qytetin 24 orë me ujë. Fillimi i këtyre punimeve do të sigurojë furnizim 24 orë me ujë për zonën e prekur nga investimi. Do të përfitojnë drejtpërdrejt 49 000 qytetarë.”
Ministrja Balluku shprehu mirënjohjen e saj për KfW dhe SECO, dy partnerët dhe mbështetësit e Qeverisë Shqiptare për sa i përket investimeve në furnizimin me ujë dhe kanalizime, duke theksuar se u trashëgua një sistem i amortizuar furnizimi me ujë me shumë probleme, por që me ndërhyrjet e kryera të cilat kanë prekur pothuajse të gjithë vendin, kanë ndryshuar situatën në këtë sektor.
“Sikurse energjia elektrike, edhe uji ka kostot e veta të transmetimit dhe shpërndarjes, por besoj se është bërë një punë e mirë nga AKUK dhe partnerët tanë si SECO dhe KfW duke informuar të gjithë popullsinë në lidhje me angazhimin e Qeverisë Shqiptare për të investuar në sistemet e shpërndarjes së ujit, por edhe në sistemet e kanalizimeve”, tha Balluku, duke shtuar se investimet në këtë sektor do të vazhdojnë edhe në zona të tjera.
Përmirësimi i cilësisë së furnizimit për të gjithë qytetarët, kudo që ata ndodhen, është objektivi kryesor i Qeverisë Shqiptare, por gjithashtu është edhe ulja e kostove për shoqëritë. “Përveç agregimit, përveç mbështetjes financiare të sistemit, përveç operimit të mirë që po tregojnë ndërmarrjet sot, inovacioni do të jetë një nga instrumentet e tjera që do të përdorim për përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime. Dhe kur flasim për inovacion, nisim me inovacionin energjetik. Kemi disa raste suksesi dhe do të vazhdojmë të gjejmë një instrument për të mbështetur ndërmarrjet të fillojnë të jenë prodhues të vetë energjisë, gjë që është shumë e rëndësishme”, deklaroi Balluku.
Investimi parashikon zëvendësimin e 42.5 kilometrave të tubacioneve të ujit. Përveç kësaj, për të rritur kapacitetin e furnizimit me ujë të pijshëm, parashikohet rehabilitimi i depozitës aktuale dhe ndërtimi i një depozite të re.
Për të garantuar ujë të pijshëm të sigurt, parashikohet ndërtimi i një rrjeti prej 3.4 kilometrash të rrjetit të mbledhjes së ujërave të zeza, i cili do të mbrojë zonën e Krastës së Vogël, Mangëlit dhe Frigoriferit në rast përmbytjesh të mëdha.